(22. III. 1928 – 2. IV. 2024)
Ndoshta më i famshmi dhe një nga regjisorët më të vlerësuar të filmit jugosllav, Velko Bulajiq, lindi në vitin 1928, në qytetin e vogël Vilusi, afër Nikshiqit në Mal të Zi. Disa vite më vonë, familja e tij u shpërngul në Sarajevë. Në vitin 1943 bashkohet me trupat partizane NOB, kurse një vit më pas plagoset rëndë. Që nga viti 1946 jeton në Zagreb, ku fillon intensivisht të studiojë artin e filmit. Si bursist, ai regjistrohet për regji të filmit në institutin prestigjioz në Romë, “Centro Sperimentale di Cinematografia”. Gjatë studimeve, ai punoi si asistent në filmat e Federiko Fellinit dhe Vitorio de Sikës. Pas kthimit në vendlindjen e tij, ai ndihmoi regjisorin jugosllav dhe kroat Vatrosllav Mimicën në filmin NË STUHI. Ai gjithashtu është edhe regjisor i disa filmave të shkurtër dhe dokumentarë. Ai bëri debutimin e tij si regjisor i një filmi artistik me projektin TREN PA ORARË. Në vitin 1959, filmi u shfaq në festivalin e filmit në Pula, ndërkaq u grumbullua në përzgjedhjen zyrtare në festivalin e filmit në Kanë. I realizuar nën ndikimin e dukshëm të neorealizmit italian dhe “westernit” amerikan, kurse nga ana regjisoriale, filmi dallohet nga skenat masive si dhe kontrolli i saktë i tërë skenës. Ndikimi i kinematografisë dhe neo-realizmit italian vihet re edhe në veprën QYTET I VLUAR i vitit 1961, fitues i çmimit për filmin dhe skenarin më të mirë në festivalin e Pulës. Pikërisht kjo dekadë, vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, shënon zenitin profesional të Bulajiqit si autor filmi. Në qendër të krijimtarisë së tij mbeten të shkruara me shkronja të mëdha filmat epik KOZARA, fitues i medaljes së artë në festivalin e Moskës, dhe sigurisht vepra e tij me famë botërore BETEJA E NERETVAS, e nominuar për statujën prestigjioze Oskar në kategorinë e filmave të huaj më të mirë të vitit 1969. Është ky realizim që edhe në ditët e sotme konsiderohet si arritja më e lartë e prodhimit të kinematografisë së atëhershme jugosllave. Ndonëse ishte më së shumti i prirur drejt qasjes regjisoriale më klasike dhe qasjes narrative-realiste, ai bëri një ekskursion edhe në tendencat më moderne të kinemasë, me vështrimin abstrakt dhe modernist NË BEBËZËN E DIELIT. Ka punuar edhe si regjisor televiziv. Për produksion televiziv ka projektuar dhe realizuar serialet MALI I ZI dhe KUJTIMET E TITOS. Pas rënies së shtetit të mëparshëm, Bulajiqi realizoi filmin historik biografik LIBERTAS, kushtuar jetës dhe veprës së Marin Drzhiq.
Veljko Bulajiq, nëse nuk është regjisori më i respektuar dhe më me ndikim, atëherë është më i shikuari dhe më i njohuri i filmit jugosllav. Gjatë karrierës së tij prej dekadash, ai bashkëpunoi me njerëz të mëdhenj si Orson Uelles, Kristofer Plamer, Sergey Bondarçuk, Franko Nero, Jul Bryner, Çezare Zavattini.
Për kontributin e tij të veçantë në artin e shtatë, Veljko Bulajiq në vitin 2008 mori çmimin special Kamera e Artë 300 në festivalin ndërkombëtarë të filmit Vëllezërit Manaki në Manastir.
23 maj ora 20:00.
SHKUPI 63
Më 26 korrik të vitit 1963, në orën 05:17, Shkupi u godit nga një tërmet katastrofik me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter. Vetëm tre ditë më vonë, regjisori Veljko Bulajiq mbërrin në qytetin e shkatërruar me ekipin e tij. Në disa muajt e ardhshëm do të regjistrohet materiali, një dëshmi e fatit tronditës të qytetit. Bulajiq, pas përfundimit të fazës së parë të realizimit, kalon 12 muaj duke edituar dhe sinkronizuar materialin e xhiruar. Projekti dokumentar monumental u shfaq në festivalin e Kanës në vitin 1964, kurse në bienalen e festivalit të filmit në Venecia fitoi çmimin për dokumentarin më të mirë të metrazhit të gjatë. Nga disa përshkrime filmike të tërmetit të Shkupit, filmi i Bulajiqit duket se më së miri i reziston kohës. Vepra nuk është vetëm një dokument i ngjarjes, por edhe një shfaqje krijuese, origjinale dhe madje universale. Një vështrim prapa në kohë, një ngjarje vendimtare dhe shumë fate njerëzore. Shtresa më e rëndësishme e filmit është zgjedhja e autorit që filmi të mos fokusohet ekskluzivisht tek tërmeti, por edhe tek reagimi i njerëzve, komunitetit dhe qëndrimi i sistemit ndaj atyre që humbën të dashurit dhe shtëpitë e tyre. SHKUPI 63 është një dëshmi e fuqisë së filmit si medium, një dëshmi e rëndësishme e vizionit të autorit. Filmi është prodhuar nga Vardar Film dhe Jadran Film, kurse gjatë realizimit të tij Bulajiq ka bashkëpunuar me autorët dhe kineastët tanë të njohur si: Jovan Boshkovski, Mateja Matevski, Gjorgi Stardelov, Ljube Petkovski, Dragan Salkovski. Për nevojat e filmit është incizuar një nga koncertet e para të Esma Rexhepovas dhe performanca e saj e Çaje Shukarijes.
Në vitin 2020, kritikët kroatë të filmit e shpallën këtë arritje si një nga dokumentarët më të mirë kroatë të të gjitha kohërave.
